Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, mori pjesë në pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës, ku përcolli urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit dhe popullit shqiptar.
Në fjalën e tij, Peleshi e cilësoi 17 Shkurtin si një moment historik lirie, dinjiteti dhe drejtësie, duke e vlerësuar Pavarësinë e Kosovës si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar. Ai theksoi se kjo pavarësi përfaqëson triumfin e të drejtës së një populli për të jetuar i lirë, sovran dhe i pavarur, pas dekadash shtypjeje, diskriminimi dhe dhune sistematike.
Kryekuvendari shqiptar në organizimin e Ambasadës së Kosovës, vlerësoi sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në realizimin e këtij qëllimi historik.
Duke folur për zhvillimet shtetërore, Peleshi theksoi se Kosova, ndonëse një shtet i ri, është shndërruar në një shtet demokratik dhe faktor stabiliteti në rajon, duke zënë vendin e saj në komunitetin e vendeve demokratike.
Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen vendimtare të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimi Evropian, të cilët, sipas tij, u rreshtuan në anën e drejtësisë dhe lirisë.
Në këtë kontekst, Peleshi shprehu shqetësim për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare, duke theksuar se drejtësia për ta lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e vetë kauzës së Kosovës.
Sipas njoftimit për medie, Peleshi ka përmendur edhe Deklaratën e 13 shkurtit të Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare, duke e cilësuar atë si një detyrim moral, historik dhe kombëtar.
Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kreparlamentari Pekeshi tha se ato janë marrëdhënie vëllazërore dhe një partneritet strategjik, të bazuara në histori, sakrifica dhe aspirata të përbashkëta për integrim euroatlantik.
Ai riafirmoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimi Evropian, NATO dhe Këshilli i Evropës.
Në përfundim, Peleshi theksoi se Pavarësia e Kosovës mbetet një fitore e lirisë mbi shtypjen dhe një krenari për gjithë kombin shqiptar, duke uruar institucionet e Kosovës për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe duke riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euroatlantike të Kosovës.


























