Iniciativa për Drejtësi, një rrjet aktivistësh për të drejtat e njeriut në Zvicër, po kërkon për drejtësi e dëmshpërblim për viktimat e abuzimit seksual kur ishin fëmijë dhe veprime kolektive për të përforcuar zërat e të mbijetuarve në vendet e Evropës.
Fytyrat e zymta të tyre qëndrojnë në një sfond të bardhë. Ato janë nga vende të ndryshme të Evropës. Që të gjithë kanë një të përbashkët- ishin të mitur kur u bënë pre e abuzimit, më së shumti seksual, dhe janë vënë në qendër të një iniciative për drejtësi.
Këto profile prej 2 vitesh udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës si pjesë e një përpjekje të rrjetit “Iniciativa për drejtësi” në Zvicër për të siguruar drejtësi dhe dëmshpërblim për viktimat.
Në mesin e tyre është Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo ishte po ashtu e mitur kur u dhunua në luftë në vitin 1999. “Ne kërkojmë drejtësi para së gjithash për gjithçka që na u mor përgjithmonë”, thotë ajo.
Juan Cuatrecasas, një tjetër viktimë e abuzimit seksual në një shkollë në rajonin bask të Spanjës kur ishte ende fëmijë, gjithashtu tregon se për të nuk pati kurrë qetësi. “Dhimbjet tona nuk janë më fizike, tani janë plagë që vështirë se mund të shërohen”, thotë ai për RTK.
Dekada pas përjetimeve të tmerrshme, asnjëri nga ta nuk pa drejtësi për atë që u kishte ndodhur.
Pasi kishte mbledhur fotot dhe storiet e dhjetëra personave të abuzuar kur ishin fëmijë, anembanë Evropës, përfshirë edhe tri nga Kosova, në një ekspozitë të quajtur “Turpi” të mbajtur në Venecia dhe disa vende tjera të Evropës, përmes një peticioni me mbi gjysmë milioni nënshkrime, Iniciativa për Drejtësi, vitin e kaluar i kërkoi Bashkimit Evropian të veprojë më aktivisht abuzimit seksual në internet.
Pas kësaj, në janar të vitit të kaluar, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nxori Rezolutën 2533 në zemër të së cilës është kërkesa për dëmshpërblim gjithëpërfshirës për të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve, abuzimin seksual, dhunën fizike dhe keqtrajtimin në institucionet publike, private e fetare.
Rezoluta thekson se “abuzimi i fëmijëve, qofshin ata viktima të grabitqarëve seksualë ose keqtrajtimi në institucionet publike, private ose fetare nuk duhet të injorohet më kurrë”.
Tani Iniciativa për Drejtësi e mbështetur nga Fondacioni Guido Fluri po vazhdon një betejën për dëmshpërblim.
Guido Fluri, presidenti i fondacionin “Fluri Fondation”, thotë se duke u mbështetur në shembullin e praktikës së mirë në Zvicër, Iniciativa po lufton për “dëmshpërblim të plotë për dhunën e kryer ndaj fëmijëve”.
Përderisa shtetet anëtare të Këshillit të Evropës përballen me sfida kur bëhet fjalë për trajtimin e rasteve të kaluara të abuzimit, në vendet si Kosova që ende nuk është anëtare, kjo duket edhe më e ndërlikuar.
Fluri që gjithashtu si fëmijë ishte viktimë e abuzimit thotë se “shumë fëmijë dhe të rinj janë prekur nga abuzimi”. “Këta njerëz që përjetuan abuzim janë në disavantazh gjatë gjithë jetës së tyre”, thotë Fluri për RTK.
“Ata jo vetëm që preken jo vetëm fizikisht por plagët psikologjike nuk u janë shëruar kurrë dhe kjo ka ndikuar thellësisht në gjithë jetën e tyre deri në pleqëri”, shtoni ai.
“Të mbijetuarit nga Evropa na janë afruar me shpresën dhe kërkesën që një zgjidhje e ngjashme do të jetë e mundur në pjesën tjetër të Evropës”.
Pierre-Alain Fridez, nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Raportues për abuzimin e fëmijëve në institucione në Evropë thotë se duhet të eksplorohen strategji për të nxitur shtetet në adresimin efektiv të këtyre çështjeve kritike në rrugën e dëmshpërblimit.
“Dëmshpërblimi duhet të pasqyrojë vërtet seriozitetin dhe të jetë në proporcion me dëmin e shkaktuar. Është thelbësore që shtetet anëtare të njohin vuajtjet e shkaktuara dhe të ofrojnë kujdes për efektet e saj”, thotë Fridez.
Përtej ndjekjes penale të autorëve të krimeve, Fridez thotë se autoritetet duhet të krijojnë vende përkujtimore të keqtrajtimit institucional, “që të nxjerrin në pah vlerat themelore të Këshillit të Evropës, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”.
Sidoqoftë një sondazh për të mbijetuarit e dhunës seksuale në fëmijëri i Global Our Voice që përfshin të dhëna për 22,285 viktima dhe të mbijetuar, përshkruan si ende të zymtë perspektivën e gatishmërisë së shteteve për të adresuar me kohë çështjen e fëmijëve të abuzuar.