Bëhet sot një vit nga vrasja tragjike e Liridona Ademajt, 30 vjeçarës nga Gjakova. Në vrasjen të cilën sipas dosjes së prokurorisë dyshohet se u porosit nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseliu, u përfshin edhe dy persona tjerë, Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava.
Vëllai i saj, Leonard Ademaj e ka kujtuar motrën e tij, duke thënë se i mungon pa fund.
“Malli për ty shtohet dita e ditës e mungesa jote vërehet çdo moment. Do të kujtojmë gjithmonë me mall, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të morën nga ne në moshën me të mire, e në mënyrën me dinake. Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shkruan e se i kujtohet ende se si për ‘pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja, dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja’.
“Nuk do ta harrojmë kurrë sa e vështirë ishte për ne, nuk do ta harrojmë kurrë atë dhimbje”, ka shkruar Ademaj.