Një vit pas një lufte të tmerrshme izraelite, qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të zhvendosen me forcë nëpër Rripin e Gazës mes shkatërrimit, urisë dhe frikës.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë brutale në Gaza pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 97.100 të tjerë.
Gjenocidi izraelit ka zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Sulmet kanë shkaktuar shkatërrime masive në gjithë enklavën palestineze, me OKB-në që vlerëson mbeturinat e ndërtesave të shkatërruara në mbi 42 milionë tonë.
OKB-ja vlerëson se mbi 163.000 ndërtesa, ose dy të tretat e strukturave të paraluftës në Gaza, janë dëmtuar ose rrafshuar në luftën izraelite.
Zyra për media e qeverisë së Gazës njofton gjithashtu se 611 xhami dhe tri kisha janë shkatërruar dhe 214 xhami të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga sulmet izraelite.
Gjenocidi ka zhdukur gjithashtu 206 lokacione arkeologjike dhe të trashëgimisë së bashku me 36 objekte sportive, stadiume dhe palestra.
– Shkatërrim masiv
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), rreth 67 për qind e objekteve të ujit dhe kanalizimeve të Gazës janë shkatërruar ose dëmtuar në luftën izraelite.
Byroja Qendrore e Statistikave dhe Autoriteti Palestinez i Cilësisë së Mjedisit vlerësuan në qershor se furnizimi me ujë i Gazës ishte ulur në 10-20 për qimd të niveleve të paraluftës.
Kjo ka shkaktuar një ulje prej 94 për qind të sasisë së ujit në dispozicion të popullsisë së Gazës, me banorët që tani mezi mund të kenë 4,74 litra për person në ditë – shumë më poshtë minimumit prej 15 litrash të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Grupi kundër varfërisë Oxfam ka thënë se 88 për qind e puseve të ujit të Gazës dhe 100 për qind e impianteve të shkripëzimit janë dëmtuar ose shkatërruar, duke çuar në një rënie prej 84 për qind të prodhimit të ujit.
Furnizimi i jashtëm me ujë nga kompania e ujit Mekorot e Izraelit është ulur gjithashtu me 78 për qind.
Sipas Oxfamit, Izraeli ka shkatërruar 70 për qind të stacioneve të pompimit të ujërave të zeza të Gazës dhe 100 për qind të impianteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe laboratorëve të cilësisë së ujit.
Kjo ka çuar në përmbytjen e rrugëve dhe kampeve të refugjatëve nga ujërat e zeza, një situatë që pritet të përkeqësohet gjatë muajve të dimrit, duke rritur rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve në mesin e popullatës së zhvendosur.
Edhe sektori arsimor i Gazës nuk është kursyer nga sulmet izraelite, me 125 shkolla dhe universitete të shkatërruara plotësisht dhe 337 të tjera të dëmtuara.
Për më tepër, 201 objekte qeveritare janë rrafshuar plotësisht, duke dëmtuar më tej aftësinë e territorit për të ofruar shërbime publike.
Sulmet dhe bllokada izraelite kanë shkaktuar gjithashtu përhapjen e sëmundjeve në gjithë enklavën palestineze.
Deri në korrik, më shumë se 25 për qind e popullsisë së Gazës vuante nga sëmundje serioze të parandalueshme të shkaktuara nga ndotja e ujërave të zeza dhe mungesa e ujit, ka thënë Oxfam.
Sipas zyrës mediale të qeverisë së Gazës, mbi 1,73 milion njerëz janë infektuar me sëmundje ngjitëse.
Në gusht, poliomieliti u rishfaq në Gaza për herë të parë në 25 vjet, duke nxitur organizatat ndërkombëtare shëndetësore të nisin fushatat e vaksinimit urgjent.
Uria
Rrethimi gjymtues i Izraelit në Gaza ka shkaktuar uri të gjerë në gjithë enklavën palestineze.
Që nga fillimi i luftës izraelite vitin e kaluar, të paktën 36 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja, mes përkeqësimit të krizës ushqimore në zonë.
UNRWA-ja raportoi në qershor se mbi 50.000 fëmijë në Gaza kishin nevojë urgjente për trajtim për kequshqyerjen akute.
Sipas Oxfamit, 1 në 5 njerëz në Gaza përballet me “nivele katastrofike të urisë”.
Programi Botëror i Ushqimit vlerëson gjithashtu se gjysmë milioni banorë të Gazës po përjetojnë pasiguri ekstreme ushqimore.
– Shkatërrimi ekonomik
Gjenocidi izraelit ka shkatërruar gjithashtu ekonominë e Gazës, me fabrika, ferma dhe tregje peshkimi të shkatërruara.
Vlerësimet fillestare nga zyra mediale e qeverisë së Gazës vendosin humbjet ekonomike në 33 miliardë dollarë.
Deri në janar, sulmet izraelite kishin zhdukur dy të tretat e vendeve të punës që ekzistonin para luftës, duke e çuar papunësinë nga 45 për qind në 80 për qind, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) ka raportuar se varfëria në Gaza është rritur në 100 për qind, nga 50 për qind para gjenocidit.
UNCTAD gjithashtu ka raportuar se 80-96 për qind e aseteve bujqësore të Gazës, duke përfshirë sistemet e ujitjes, fermat blegtorale dhe pemishtet, janë dëmtuar ose shkatërruar.
Kjo ka përkeqësuar pasigurinë ushqimore, me 82 për qind të bizneseve të Gazës tani në gërmadha, duke çimentuar më tej kolapsin ekonomik të rajonit.
– Gjenocidi
Lufta brutale izraelite e ka shtyrë Afrikën e Jugut të ngrejë një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, duke akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza.
Disa vende i janë bashkuar çështjes së gjenocidit kundër Izraelit, duke përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë.
Në maj, gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh të lëshojë urdhra paraprakë për të frenuar numrin në rritje të vdekjeve në Gaza dhe për të lehtësuar vuajtjet humanitare në enklavën e bllokuar.
Ofensiva shkatërruese ka shkaktuar protesta masive në mbarë botën, ku është kërkuar fund i menjëhershëm i luftës izraelite në enklavën palestineze.
Ndërsa gjenocidi i Izraelit mbi Gazën vazhdon, njohja ndërkombëtare e shtetit palestinez dhe mbështetja për aspiratën e tij për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara është rritur.
Në maj, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës, e ndjekur nga Sllovenia dhe Armenia në qershor. Kjo e çoi numrin e përgjithshëm të vendeve që e kanë njohur Palestinën në 149 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur luftën.