30 gushti është afati i fundit kur subjektet politike mund të paraqesin në KQZ, koalicionet e tyre parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Njohës të rrethanave politike në vend nuk shohin koalicione të reja, derisa thonë se gara është e koncentruar te katër subjekte politike.
Subjektet politike në vend kanë kohë deri më 30 gusht të paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionet e tyre parazgjedhore. Kështu ka bërë të ditur për RTK-në zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
“Afati për ta bërë këtë gjë ka filluar që nga data kur janë shpallur zgjedhjet, më 16 gusht, dhe do të përfundojë më 30 gusht. Pra, deri më këtë kohë subjektet politike duhet të njoftojnë KQZ-në për llojin e pjesëmarrjes në zgjedhje”, ka deklaruar Elezi.
Njohësit e rrethanave politike në vend i kanë thënë Radio Kosovës, se nuk presin koalicione të reja parazgjedhore. Gazmir Raci, ka theksuar se tashmë beteja zgjedhore është koncentruar te katër parti politike.
“Unë nuk shoh ndonjë koalicion të ri, sepse tashmë skena politike po profilizohet në masë të madhe, pasi kësaj radhe do të kemi parti politike shqiptare me pak se sa herëve të kaluara. Beteja do të jetë në mes të katër forcave kryesore, siç është Vetëvendosja, PDK, LDK dhe AAK, e cila edhe e ka bërë koalicionin e saj”, ka theksuar Raci.
Analisti Fidan Ukaj, ka thënë se deri më 30 gusht edhe mund të ketë koalicione të reja, por gjasat janë që në zgjedhjet e 9 shkurtit partitë e mëdha politike të garojnë të vetme.
“Siç duket ky afat kohor i përcaktuar nga KQZ-ja, për lidhje të koalicioneve, edhe mund të ketë koalicione të reja, mirëpo gjasat janë ashtu edhe siç kanë deklaruar subjektet politike se do të garojnë të vetme”, ka deklaruar Ukaj.
Deri më tani për zgjedhjet e 9 shkurtit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lidhur koalicion me Nismën Socialdemokrate, ndërkohë që Vetëvendosje e cila ka koalicion me partinë Guxo, nuk dihet ende nëse do të garojnë sërish bashkë në zgjedhjet parlamentare.