Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur themelimin e institucioneve të reja legjislative dhe ekzekutive, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke e cilësuar këtë si një reflektim të qartë të funksionimit demokratik të vendit.
Sipas Odës Amerikane, konstituimi i shpejtë i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe votimi i kabinetit të ri qeveritar, në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor, përbëjnë tregues të rëndësishëm të pjekurisë politike dhe konsolidimit institucional.
Në fazën e re të qeverisjes, Oda thekson nevojën për një agjendë të qartë dhe të qëndrueshme reformash ekonomike, e cila do të adresonte sfidat strukturore dhe do të përshpejtonte rritjen ekonomike. Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të energjisë, përfshirë diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike, si dhe krijimit të kushteve të favorshme për investime strategjike në infrastrukturë moderne dhe energji të pastër.
Po ashtu, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe harmonizimi i sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës konsiderohen elemente kyçe për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.
Oda Amerikane ka nënvizuar edhe rëndësinë e fuqizimit të bazës industriale përmes tërheqjes së investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë të Kosovës. “Përmirësimi i klimës së të bërit biznes, përmes forcimit të sundimit të ligjit, sigurisë juridike, reduktimit të barrierave administrative dhe rritjes së transparencës në vendimmarrje, duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i institucioneve të reja”, thuhet në komunikatë.
Duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e reformave ekonomike kanë mbetur të vonuara për më shumë se një vit, Oda Amerikane shpreh pritjen që mandati i ri qeverisës të shfrytëzohet për t’i shtyrë përpara këto reforma në mënyrë të koordinuar dhe me vizion afatgjatë.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për një bashkëpunim më aktiv dhe të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke vlerësuar se vetëm përmes dialogut të rregullt dhe partneritetit të mirëfilltë mund të përshpejtohet zhvillimi socio-ekonomik, të rritet mirëqenia e qytetarëve dhe të forcohet pozita e Kosovës si një destinacion serioz dhe i besueshëm për investime.


























