OKB paralajmëroi se palestinezët në Gazën e rrethuar po rrezikojnë të vriten dhe të plagosen nga sulmet ajrore izraelite në mënyrë që të furnizohen me bukë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
“Njerëzit janë duke u rreshtuar për orë të tëra, na thuhet, përpara furrave të bukës. Kjo i ekspozon ata ndaj ndikimit të sulmeve ajrore”, tha zëdhënësi Stephane Dujarric.
Duke folur mbi situatën e rëndë për shumë njerëz në Gaza, Dujarric tha: “Artikujt thelbësorë ushqimorë si orizi dhe vaji pothuajse janë shteruar në tregjet publike. Artikuj të tjerë, duke përfshirë miellin, produktet e qumështit, vezët dhe ujin mineral janë zhdukur nga raftet në dyqanet e gjithë Gazës në dy ditët e fundit”.
Sipas OKB-së, dërgesat e ushqimit nuk kanë arritur në pjesën veriore të Gazës në tetë ditët e fundit, ku Izraeli aktualisht po kryen pjesën më të madhe të pushtimit tokësor.
Asnjë furrë buke nuk funksionon aktualisht në rajon për shkak të mungesës së karburantit, ujit dhe miellit, si dhe dëmeve të pësuara gjatë luftës së vazhdueshme.
Ndërkohë, në pjesën jugore të Gazës, i vetmi mulli operativ i bukës nuk mund të funksionojë për shkak të mungesës së energjisë dhe karburantit, tha Dujarric. Ai shtoi se vetëm një furrë buke e kontraktuar nga Programi Botëror i Ushqimit është në gjendje të prodhojë bukë, madje edhe kjo është me ndërprerje.
Më pak se 100 kamionë që transportojnë ndihma humanitare po hyjnë në Gaza në ditë, rreth një e pesta e nivelit të paraluftës, në kohën kur enklava po përballet me një rrethim izraelit që ka kufizuar ndjeshëm dërgesat.
Dujarric tha se kjo sasi e ndihmave është shumë e vogël në karasim me atë që nevojitet, duke theksuar se niveli “nuk është për shkak të mungesës së aftësisë sonë për të përmbushur nevojat”.