Stuhitë me shi të dendur po përkeqësojnë tutje mjerimin e civilëve palestinezë të zhvendosur në Gaza ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij vdekjeprurëse në enklavë, tha sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.
“Njerëzit e zhvendosur, të cilët tashmë jetojnë në të pajetueshmen për shkak të luftës, tani po luftojnë me stuhitë e shiut të dendur”, tha UNRWA në një deklaratë.
Agjencia e OKB-së tha se shirat kanë përmbytur mbi 100 tenda që strehojnë civilët e zhvendosur dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytetin jugor Khan Younis.
“Rreth 500 familje ende jetojnë përgjatë vijës bregdetare të Gazës”, shtoi ajo.
Më shumë ndihma humanitare duhet të vijnë në Gaza për të ndihmuar njerëzit të qëndrojnë ngrohtë këtë dimër, porositi agjencia.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë mbi 45.500 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.