Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
Filozofia e duasë në Islam është thellësisht ekzistenciale. Ajo e nxjerr njeriun nga izolimi i ngushtë i vetvetes dhe e lidh atë me të Përjetshmin, duke shërbyer si një urë që thyen kufijtë e materies. Në këtë akt përuleje, njeriu nuk thjesht kërkon diçka, por e kupton varfërinë e tij ontologjike ndaj Zotit të Pasur (El-Ganij). Duaja nuk është një listë kërkesash për plotësim nevojash materiale; ajo është një ushtrim i vetëdijes për të kuptuar se burimi i çdo ekzistence dhe mirësie rrjedh vetëm nga Ai.
Ky koncept ilustrohet mrekullueshëm në urtësinë e Omerit (r.a.), i cili e zhvendos fokusin nga rezultati pragmatik te vlera e vetë procesit:
“Unë nuk merakosem rreth pranimit të lutjes, por merakosem pikërisht për vetë lutjen. Ndaj, në atë moment kur inspirohem për lutje, e kuptoj se pranimi i lutjes është i sigurt.”
Sipas këtij këndvështrimi, vetë dëshira dhe aftësia për t’u lutur është dhurata e parë e pranuar. Nëse Zoti të ka mundësuar ta thërrasësh, Ai tashmë ka hapur derën e komunikimit.
Çdo analizë e duasë nis te etimologjia e saj. Fjala Du‘ā’ (دُعَاء) nënkupton thirrjen, ftesën apo klithmën e shpirtit. Ky nuk është një monolog i humbur në zbrazëtinë e universit, por një dialog ku tjetra palë jo vetëm që dëgjon, por është Prezencë Absolute.
Kjo e vërtetë arrin kulmin në Ajetin 186 të sures El-Bekare. Ky ajet është unik në strukturën e tij gjuhësore; zakonisht Kur’ani përdor formën “Thuaju o Muhamed…”, por këtu Zoti e heq ndërmjetësin dhe flet në vetë të parë:
وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet Mua, pra le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua, me qëllim që të shkojnë drejt.” (El-Bekare, 186) .
Ky ajet është themelor. Ai nuk thotë “Thuaju atyre se Unë jam afër”, por përgjigjet drejtpërdrejt. Filozofikisht, kjo eliminon çdo ide për një Zot të largët, deist. Prania e Tij nuk është fizike, por metafizike; Ai është “El-Muxhib” – Pranuesi i lutjeve, Ai që nga natyra e Tij përgjigjet. Siç shpjegohet në burime, kuptimi i këtij emri është dyfishtë: Ai pranon kërkesën, por më e bukura është se Ai është Ai që i nxit zemrat dhe gjuhët tona për ta bërë lutjen .
Nëse Kur’ani vendos parimin e afërsisë, hadithi e përshkruan duanë si motorin shpirtëror të besimit. Pejgamberi a.s. e ngre konceptin e lutjes në një shkallë të tillë që ajo bëhet sinonim i vetë fesë.
Në një hadith të famshëm, transmetohet se Muhammedi a.s. ka thënë:
الدُّعَاءُ هُوَ الْعِبَادَةُ
“Lutja është pikërisht adhurimi” .
Kjo është një formulë e shkurtër, por filozofikisht e thellë. Ajo do të thotë se thelbi i adhurimit qëndron në një ndjenjë të brendshme varfërie ndaj Zotit dhe në drejtimin e vetëdijshëm të shpirtit kah Ai. Duke u lutur, njeriu e aktualizon veten si rob (‘abd). Për këtë arsye, duaja konsiderohet “truri i ibadetit” , pasi ajo i jep kuptim dhe qëllim çdo veprimi tjetër fizik.
Një dimension tjetër filozofik është ai i dorëzimit pas përpjekjes. Njeriu është i obliguar të veprojë, por rezultati i takon Zotit. Lutja është momenti kur njeriu e pranon këtë kufi. Rasti i iftarit (prishjes së agjërimit) është ilustrues. I Dërguari a.s. lutej:
ذَهَبَ الظَّمَأُ، وَابْتَلَّتِ الْعُرُوقُ، وَثَبَتَ الْأَجْرُ إِنْ شَاءَ اللَّهُ
“Etja u largua, u lagën damarët dhe u meritua shpërblimi, inshallah” .
Këtu, shpërblimi pritet “me vullnetin e Zotit”, duke treguar se edhe pse agjëruesi ka bërë punën e tij, pranimi varet vetëm nga Mëshira e Zotit.
Tradita islame është e pasur me tregime që nxjerrin në pah fuqinë e lutjes së sinqertë. Ato shërbejnë jo vetëm si ngushëllim, por edhe si dritë udhërrëfyese për besimtarët. Një tregim i tillë që përcjell mrekullinë e shpëtimit përmes lutjes është ai i vajzës në frigorifer:
Një vajzë punonte në një fabrikë të madhe mishi. Një ditë, kur e përfundoi ndërrimin e saj, shkoi në frigorifer të verifikonte diçka dhe në një moment të pakujdesisë, dyert e frigoriferit u mbyllën dhe ajo mbeti e bllokuar. Ajo u mbyll brenda dhe askush nuk e dëgjonte zërin e saj. Temperaturat ishin nën zero dhe shpresa po shuhej. Ajo filloi të dridhej nga i ftohti dhe frika. Aty, ajo e kuptoi se shpëtimi i vetëm ishte Zoti. Në atë errësirë dhe vetmi, ajo ngriti duart dhe filloi të lutej me sinqeritetin më të thellë, duke i kërkuar Zotit t’i jepte forcë dhe ta shpëtonte. Ditën tjetër, një roje sigurimi hapi derën e frigoriferit dhe e gjeti atë të rrëzuar, por gjallë. Kur e pyetën se pse e hapi atë derë në atë kohë, roja u përgjigj: “Unë punoj në këtë kompani prej 30 vitesh, por sot pashë një ëndërr të çuditshme. Më dukej sikur dikush më thoshte: ‘Shko dhe hap derën e frigoriferit, aty brenda është një shpirt që po lutet për shpëtim’. Në fillim nuk e mora seriozisht, por zëri më përcillte vazhdimisht, derisa vendosa të vij ta shoh.”
Ky tregim tregon se si sinqeriteti në lutje mund të ndryshojë ligjet e natyrës dhe të sjellë shpëtim nga rrugë të papritura.
Filozofia e duasë nuk është vetëm teori, ajo ka edhe një dimension praktik, fizik. Ngritja e duarve gjatë lutjes është një simbol i kësaj kërkese shpirtërore. Duart e zbrazëta ngrihen për të kërkuar mbushjen prej Tij.
Transmetohet se:
“Kur robi i ngre duart nga Allahu për t’i kërkuar diçka, Allahu turpërohet t’i kthej ato bosh, të zhgjënjyera” .
Ky hadith kudsij (i shenjtë) na mëson se Zoti e nderon lutësin. Megjithatë, kjo ngritje duarsh nuk është gjithmonë e obliguar; ajo është shenjë përulësie dhe sunet, veçanërisht në lutjet personale .
Nga e sipërthënura, kuptojmë se duaja në Islam është shumë më tepër se një ritual. Është momenti kur koha takohet me të Përjetshmen, kur zëri i njeriut bashkohet në harmoninë kozmike të lutjes së të gjitha krijesave. Përmes ajetit të Bekares, Zoti na tregon se Ai është afër. Përmes hadithit, na mëson se kjo afërsi aktivizohet përmes lutjes. Dhe përmes tregimeve arketipike, na tregon se asnjë lutje e sinqertë nuk humbet në humnerë, por gjen rrugën e saj të kthimit tek Ai. Kjo është filozofia e shpresës dhe e dinjitetit njerëzor; ne jemi të pamundshëm, por kemi një Zot që na dëgjon.


























