Shkrua; Donik Sallova
Krejt gabim e kanë këta që po mundohen me shpjegu dështimin e opozitës dhe po rekomandojnë reformimin në lidershipin e tyre. Fokusi i tyre është forma, por aspak tek thelbi. Opozita mundet me i ndërru 100 lidershipe, por nëse nuk reflektojnë thelbësisht mbi të kaluarën e tyre në pushtet, lidershipet e reja do t’u sjellin vetëm humbje të tjera.
Partitë e ish regjimit duhet ta pranojnë që kanë bërë shumë gabime, disa edhe fatale, në raport me interesat e Kosovës. Pa e pranuar se qeverisjet e tyre zhvilluan korrupsion enorm dhe prodhuan shumë politikanë të pasur prej të cilëve duhet të distancohen dhe jo t’i mbajnë në grupe parlamentare për të bërë opozitë, populli do ta kuptojë se ata po i ndryshojnë mjetet (liderët) por jo edhe qëllimet: pushtetin dhe buxhetin.
Partitë e opozitës duhet ta pranojnë që në raport me Serbinë kanë lëshuar shumë pe dhe kanë bërë kompromise që e kanë brishtësuar pavarësinë duke i lënë Serbisë kontroll të pakufizuar në veri të Kosovës dhe jo vetëm. Negociatat me Serbinë që nga ato me Ahtisaarin e deri kur Albin Kurti erdhi në krye të tyre kanë qenë gjithnjë instrument i Serbisë për t’i realizuar interesat e saj kundrejt realitetit faktik.
Për 4 vite partitë opozitare nuk u reformuan, por ngulmuan në ato që kishin bërë, duke e quajtur aksident vullnetin e shprehur më 14 shkurt 2021. Në partitë opozitare nuk kishte asnjëherë debat nëse ajo që kishin bërë për 20 vjet ishte gabim dhe kishte përgjegjës. Përkundrazi, në këto parti vetëm sa u përforcuan zërat që akuzonin Albin Kurtin se me parimet e tij politike të sovranizimit po rrezikonte stabilitetin (e kontrolluar nga Serbia) në veri.
Pra, ndryshimi mes Albin Kurtit e Vetëvendosjes dhe partive të opozitës nuk është çështje lidershipi, por çështje principi, ku i pari e ka në themel shtetin e të dytët pushtetin. I pari sovranitetin, të dytët stabilitetin që cënon integritetin. I pari popullin, të dytët klanin. I pari subvencionet, të dytët tenderët. I pari pari publiken, të dytët privatizimin e saj. Prej këtu duhet të nisen “shpjeguesit” në analizën e tyre për gjendjen e partive opozitare, të cilat më shumë se për reformim lidershipi, kanë nevojë për ripërcaktim të qëllimeve politike!


























