Osmani: Besimi i qytetarëve, forca që i jep kuptim çdo përgjegjësie publike

Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh Republikës. Nuk ka përgjegjësi më të madhe, por edhe më fisnike, se sa të mbash mbi supe besimin e qytetarëve të tu. Kështu u shpreh presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj të fundit si presidente, pak para se të largohej nga Zyra e Presidencës, transmeton KosovaPost.

Në një adresim 13 minutësh, presidentja në largim, tha se falë përkushtimi të qytetarëve të Republikës së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe këmbëngulësisë për të krijuar institucione të qëndrueshme, ajo e ka pasur për nder dhe përgjegjësi që të sigurohet që vullneti dhe zëri i tyre të përfaqësohen denjësisht.

“Që nga dita e parë e kam marrë këtë detyrë me një bindje të qartë se integriteti nuk negociohet, se shteti nuk përkulet dhe se besimi i qytetarëve nuk shpërdorohet. Kjo ka qenë busulla ime, edhe kur rruga nuk ka qenë e lehtë e jashtëzakonisht sfiduese. Mbështetja juaj ka qenë qartë, e zëshme dhe e vazhdueshme”, tha Osmani.

Ajo tha se mbështetja mbi të gjitha ishte besim. Dhe se për këtë besim, siç tha “përulem para jush me mirënjohjen më të thellë dhe të përjetshme, sepse besimi i qytetarëve është forca që i jep kuptim çdo përgjegjësie publike”.

“Atë besim unë e kam kthyer në besnikëri ndaj jush, ndaj parimeve të shtetit, ndaj vlerave tona të përbashkëta, kombëtare e demokratike. Besnikëri, vetëm e vetëm ndaj Republikës së Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj e paprekshmërisë së kufijve të saj. Për mua, thelbësore ka qenë dhe mbetet mbrojtja e interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë, ndërlidhja e historisë mundimshme dhe sakrificës së popullit tonë me vizionin e themeluesit e Atit të Republikës, presidentit Ibrahim Rugova, nderimi i luftës çlirimtare dhe mbrojtja e aleancave”, shtoi Osmani.

Ajo tha se mbrojtja e aleancës së lirisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet evropiane dhe të gjitha vendet paqedashëse gjithandej globit ka qenë dhe mbetet themeli i qëndrueshëm për mbrojtjen e paqes.

“Unë nuk lëviz nga ky vizion, sepse ky është vizioni i shtetit tonë, ky është vizioni i qytetarëve të vendit tim. Të dashur qytetarë, orientimi im si përfaqësuese e juaja ka qenë dhe mbetet i qartë: ai i Presidentit Rugova, një Kosovë e lirë dhe e pavarur, demokratike, e integruar në strukturat euratlantike dhe në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk ka qenë vetëm vizion, ka qenë udhërrëfyesi im i përditshëm”, nënvizoi Osmani.

Ajo tha se Kosova e këtyre pesë viteve është udhëhequr gjatë çdo dite nga ky orientim i qartë strategjik.

“Me përulje të thellë, sikurse çdo herë nderoj heronjtë dhe martirët e lirisë, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë ata që u zhdukën me dhunë nga forcat genocidale serbe dhe të gjithë ata që mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës, dhe të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë vend, sepse liria jonë mbahet mbi emrin e tyre, dhe Republika jonë qëndron pikërisht mbi sakrificën e tyre. Këto kanë qenë përherëshmëri e veprimeve të mia dhe busulla orientuese e gjithë punës time në çdo ditë të angazhimit për Republikën tonë të dashur”, tha Osmani.

Në adresimin e saj, Osmani tha se ndjehet thellësisht krenare që këtë institucion po e lë më të respektuar në botë, me dyer të hapura dhe me aleanca të forcuara.

Adresimi i plotë i presidentes Osmani:

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish