Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin ka zhvilluar diskutime për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani e ka falënderuar homologun e saj për lidershipin vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve për Kosovën, që nga periudhat më të vështira e deri më sot. Ajo ka theksuar se përgjatë viteve është ndërtuar një epokë e re bashkëpunimi, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe kontributet e rëndësishme të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit, njofton zyra për informim e Presidencës.
Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e Emirateve në sektorin e shëndetësisë, përfshirë vazhdimin e projektit për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë, i cili bazohet në dakordimin e mëhershëm mes dy palëve.
Po ashtu, bëhet e ditur se presidentja ka vlerësuar lart mirëkuptimin dhe mbështetjen e Presidentit Mohamed bin Zayed për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në sektorë të tjerë zhvillimorë, të cilat janë prezantuar gjatë vizitës zyrtare.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe”, ka thënë Osmani.


























