Edicioni i 3-të i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë ka nisur të mërkurën, më 08.10.2025 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.Edicioni i sivjetmë i këtij festivali është hapur nga presidentja Vjosa Osmani, e cili në prani të një numri të madh të nxënësve theksoi rëndësinë që ka leximi për të ardhmen e fëmijëve.Osmani tha se me hapjen e një libri për lexim, hapen dhe dritaret e diturisë.
“Sa më shumë që lexon aq më shumë do të dish, sa më shumë lexon aq më shumë vende do të vizitosh. Në këtë festival e panair ju do t’i takoni disa prej miqve më të mirë, nga Harry Potter që ju fton në botën e magjisë, deri të Liza në botën e çudirave.
Mrekullia vjen me leximin e librave për fëmijë”- u tha ajo nxënësve të pranishëm, duke i nxitur që të lexojnë sa më shumë. Ndërsa, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, i porositi fëmijët se vetëm duke lexuar mund të arrijnë rezultate.
Ajo tha se nesër, më 09.10.2025 Biblioteka “Hivzi Sulejmani” do të ofrojë anëtarësim falas për nxënësit dhe fëmijët e interesuar (Klasa I-IX).“Uroj që kjo festë e madhe e librit, ngjyrave të librit, të vazhdojë pafundësisht”- tha drejtoresha Beqiraj. Një fjalë rasti mbajtën edhe Agon Ahmeti, drejtor i OJQ-së ETEA dhe Fatlum Hetemi nga Shtëpia Botuese “Albas”.
Pas ceremonisë së hapjes janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme për fëmijë
.Gjatë ditëve sa do të zgjas ky festival, përveç prezantimit të librave të ndryshme për fëmijë nga botuesit pjesëmarrës, organizatorët kanë bërë të ditur se do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh si: punëtori, lexime të hapura, përurime librash, aktivitete shkencore dhe lojëra kreative.
Ky aktivitet mbyllet më 11.10.2025.Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.


























