Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në takim me homologun e saj, Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.
Sipas Osmanit, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, presidentja ka falënderuar Pendarovskin për përkushtimin e tij personal për raportet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Madje sipas saj, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE.
Më tej, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
“Me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, ka deklaruar Osmani.
Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.
“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar Presidentja.
Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Në përfundim, Osmani dhe Pendarovski pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët./