Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admiralin Stuart B. Munsch
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Në këtë takim Osmani ka theksuar se Serbia duhet të tërheq ushtrinë e saj nga kufiri me Kosovën, pasi siç ka thënë ajo, prezenca e tyre është rrezik për paqen në rajon.
Duke folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit, Osmani tha se duhet të merren masa ndaj Serbisë.
“Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoičić dhe politikisht nga Aleksandar Vučić. Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheq trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Ajo vlerësoi angazhimin e shtuar të KFOR-it dhe NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi dhe e konsideroi atë si veprim të nevojshëm për ta parandaluar përsëritjen e aktit të ndodhur më 24 shtator.
Në takim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të NATO-s, në ballafaqimin me sfidat e sigurisë në vend dhe rajon.


























