Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën në përvjetorin e rënies së tyre, duke theksuar rolin e tyre në historinë e lirisë së Kosovës, përcjell KosovaPost.
“Ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, patriotët Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ranë heroikisht në përballje me forcat e regjimit serb. Dy djem që nuk e njohën frikën dhe i dhanë gjithçka lirisë së Kosovës”, ka shkruar Presidentja.
Ajo ka theksuar se si ideatorë të Komitetit të Studentëve, ata i paraprinë Pranverës Studentore të vitit 1981, duke qenë kumt i hershëm i përpjekjes së madhe për çlirim.
Osmani ka vlerësuar se rënia e tyre heroike shënoi fillimin e një kontributi që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë për lirinë e Kosovës.
“Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha jetojnë te secili prej nesh që mban në zemër atdheun, në çdo hap që bën Kosova dhe janë dëshmi se guximi dhe flijimi i tyre janë respekt dhe kujtesë e jona e përhershme”, ka theksuar presidentja Osmani.


























