Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve kosovarë në afirmimin ndërkombëtar të vendit.
E para e shtetit ka folur në ceremoninë e organizuar për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
“Anëtarësimi i Kosovës në KON ishte një afirmim i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sportistët tanë i kanë treguar botës se kush është Kosova. Ata kanë dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë dhe më të denjë të Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka shtuar se përmes sportit, Kosova ka arritur të pozicionohet në mënyrë dinjitoze në hartën globale. “Nuk ka krenari më të madhe se sa kur e kupton që në vende të mëdha sportistët i motivojnë me shembullin e Majlinda Kelmendit”, është shprehur Osmani.
Gjatë dekadës së fundit, sportistët kosovarë, veçanërisht ata të disiplinës së xhudos, kanë sjellë suksese të jashtëzakonshme për vendin, duke e bërë Kosovën të njohur në arenën ndërkombëtare si një vend me potencial në këtë sport./rtk