Partitë politike ngushëllojnë familjen Osmani

Partitë politike kanë ngushëlluar familjen Osmani, për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit, gazetarit dhe themeluesit të Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, i cili vdiq sot në moshën 49-vjeçare.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se kontributi i tij në fushën e medies dhe informimit në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Telegram ngushëllimi. E nderuara familje Osmani. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit, familjarit tuaj, themeluesit dhe pronarit të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online. Kontributi i tij në fushën e medies dhe informimit në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm. Përmes punës së tij të palodhshme, ai krijoi një platformë të besueshme dhe profesionale të lajmeve, duke i shërbyer publikut me informacion të saktë dhe të paanshëm”, thuhet në telegramin ngushëllues të PDK-së.

Në këtë mesazh, thuhet se Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e medies në vend.

“Ai la gjurmë të pashlyeshme në këtë fushë, jo vetëm si themelues i Ekonomia Online, por edhe përmes angazhimit të tij në media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë moment të dhembjes së madhe, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, miqve dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve në vend”, thuhet tutje në telegram.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime pas ndarjes nga jeta të themeluesit dhe pronarit të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online, Faton Osmani.

Abdixhiku e cilësoi Osmanin si një figurë të rëndësishme në gazetari, duke theksuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tij.

Tutje ai shtoi se Faton Osmani do të kujtohet për integritetin dhe angazhimin e tij në forcimin e gazetarisë së pavarur në Kosovë. Kryetari i LDK-së shprehu ngushëllime për familjen Osmani dhe gjithë komunitetin e gazetarisë, duke i uruar paqe të amshuar.

Edhe kryetari Ramush Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ndajnë dhembjen me familjen Osmani dhe mbarë komunitetin mediatik, pas ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur dhe themeluesit të ‘EkonomiaOnline’, Faton Osmani.  “Një njeri me vlera e profesionist i çmuar, do të kujtohet përherë vepra e kontributi që la pas”, tha ai.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish