Kushtrim Shala, kardiokirurg ishte pjesë e një operacioni në Kardiologji, kur mbas tre orësh pacienti ka vdekur.
E drejtori i Klinikës i ka quajtur kardiokirurgët jokompetentë dhe të papërvojë për një intervenim të tillë.
Për rastin që ndodhi sot në QKUK, ka reaguar edhe kardiologu Prof. Dr. Gani Bajraktari.
Ai ka thënë se mjeku Kushtrim Shala, është dashur që ta fusë pacientin në sallë të operacionit, duke shtuar se mosfutja në sallë e një pacienti të tillë që 100% do vdes, do ta ”shfajsojë” tek opinioni i kontaminuar mjekësor e jo-mjekësor në Kosovë.
Kardiologu thotë se Shala bëri një vepër heroike, duke e futur pacientin në sallë të operacionit.
“Kushtrimi e kishte obligim moral, etik e profesional që të fuste pacientin në sallë! Për më tepër ai e kishte edhe obligim ligjor, sepse drejtori i tij ia kishte dhene kete detyre duke e vene kujdestar per raste urgjente (sic ishte rasti i pacientit fatkeq)!”, shkruan ai.
Reagimi i plotë në Facebook:
Unë sonte quhem KUSHTRIM
Mjeku dhe kolegu i nderuar dr Kushtrim Shala (e njoh pak, kurrë nuk kam ndejtur më të, sigurisht ndonjë student i shkëqyer i imi, sepse zakonisht të tillët marrin specilizimin e kardiokirurgjisë), pasi ishte gjindur para një sfide që vetëm ata që e dinë arrijnë ta kuptojnë: pacientin me disekacion aorte të rënduar, tek i cili vdekshmëria rritet rreth 2% për çdo orë vonese, e tek i cili rreziku për humbje jete, edhe nëse i nënshtrohet operacionit, është dhjetëra përqind edhe në Klinikat më prestigjioze në botë!
E ç’bëri Kushtrimi i shkretë: gjënë e vetme që duhej ta bënte – të fuste në sallë pacientin e pafat, i cili nëse nuk do të operohej, shansat i kishte zero për të shpëtuar, e nëse operohej i kishte shansat mbi 50% që të shpëtonte!
Përditë kemi raste të tilla në kardiologji te pacientët me infarkt akut dhe shok kardiogjen, që nese NUK e fusim në sallë pacienti vdes gati 100%, e nëse e fusim në sallë, shansat për të shpëtuar janë rreth 50%!
Gjithmonë, personalisht rekomandoj opcionin e dytë, anipse mosfutja në sallë e një pacienti të tillë që 100% do vdesë, do më ”shfajsojë” tek opinioni i kontaminuar mjekësor e jo-mjekësor në Kosovë!
Kushtrimi e kishte obligim moral, etik e profesional që të fuste pacientin në sallë! Për më tepër ai e kishte edhe obligim ligjor, sepse drejtori i tij ia kishte dhënë këtë detyrë duke e vënë kujdestar për raste urgjente (siç ishte rasti i pacientit fatkeq)!
Do të ishte vepër e rëndë penale nëse ai nuk do e fuste në sallë pacientin!!
Ai beri një vepër heroike për 10 orë punë (imagjinojeni 10 orë operacion) për të shpëtuar një jetë njeriu! I entuziazmuar nga kryerja me sukses e operacionit të komplikuar, ai bën një postim (që edhe mund të kete shkelur rregulloret e QKUK-së, shkelje minore etike për mua)!
Për fat të keq pacienti paska përfunduar me vdekje, disa orë pas opercionit (e shpeshtë kjo te kjo patologii edhe në klinikat më prestigjioze në botë, e të shpeshta edhe te plot pacientë kardiakë në Kosovë)!
Unë jam thellësisht i bindur se pas pak familjarëve të ngushtë të të ndjerit, Kushtrimi do të jetë njeriu më i mërzitur për humbjen e pacientit të tij! Ai ishte njeriu që më së paku e deshi këtë humbje!
Janë 1001 arsye pse ka vdekur ky pacient, që shpesh as obduksioni nuk i zbulon!
Kushtrimi është mjek i ri, ai nuk ka faj për lojërat e ndyra ndër vite në këtë sektor, ai nuk ka asnnjë faj pse dr Raifi, dr Ademi, dr Arbëri, nuk janë sot në QKUK!
Më kujtohet një reagim i imi ndaj deklaratës së një drejtori sharlatan të QKUK-së “ ne do t’i zëvëndësojmë më dy specialistë të rinj që pritet të specializojnë këto ditë”! Sigurisht, as sot mund të mos e këtë kuptuar drejtori sharlaran, sepse aq dinte ai!
Dhe si zakonisht, … loja e shtrigave, ku zakonisht përfshihen mjekët smirëzi, gazetarët e shitur dhe në prapavijë spitalet private e sponsorë të tjerë, që paguajnë dy grupet e para, filloi për të linçuar Kushtrimin, aq sa është rrezik ta gjuajnë me gurë nëse ai nesër del në shesh (si në mesjetë)!
Kulmi ishte deklarata NË MEDIA e drejtorit të Kardiorirugjisë: një deklaratë e papjekur, shpirtngushtë, jo-etike, e padëgjuar ndonjëherë! Ai akuzon mjekët e tij (që vet u kishte dhënë detyrë të operojnë rastet urgjente) se ata janë të papërvojë dhe se duhet të hetohen!
Mirë more derëzi, po nëse paskan qenë të papërvojë pse i fute në kujdestari për raste urgjente?? Po nëse kanë bërë shkelje profesionale, pse nuk i dërgon në Këshill Etik, po iu flet mediave? Pse e dëmton kaq rëndë shtëpinë tënde? Gabim i madh Rifat! Gabimin më të madh se tëndin, mund të bëjnë vetëm drejtoresha e SHSKUK, nëse nesër nuk të shkarkon, dhe Prokurori i Odës së Mjekëve nëse nesër nuk fillon hetimt ndaj teje!
Prandaj unë sonte dua të quhem Kushtrim, ndërsa emrin që në asnjë rrethanë nuk do të doja ta kisha sonte, është emri Rifat!