Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ndjehet i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër do të mbyllet për një vit rrjeti social, Tik Tok.
Ai këtë e tha gjatë një takimi që e pati me prindër e mësues, ku i diskutoi masat e reja të qeverisë në shkolla.
“Unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë faktorët që janë drejtpërdrejtë që janë të lidhur me këtë sferë të edukimit dhe sigurisë të fëmijëve tanë, kemi një produkt konkret, me masa konkrete dhe kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt, u shpreh Rama.
Duke e justifikuar si të domosdoshme mbylljen për një vit të TikTok-ut, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale ka luajtur një rol edukues negativ, të pakrahasueshëm me praktikën që ndjek kompania kineze në shtetin e saj të origjinës.
“Se është kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë, por po ta shikosh në Kinë dhe jashtë saj janë dy TikTok të ndryshëm. TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçëri, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës,” u shpreh Rama.
Në aspektin teknologjik procesi i mbylljes së platformës është parashikuar të zgjasë nga 6–8 javë duke filluar viti i ardhshëm.
“Do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tiktok në Republikën e Shqipërisë s’do të ketë”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Qeveria shqiptare thotë se do të ndjekë reagimet e vendeve të tjera për të vendosur zgjatjen apo pezullimin e vendimit për mbylljen.
Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, prezantuan edhe planin e ri të veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë për më shumë cilësi, siguri dhe gjithëpërfshirje.
Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.