Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar të martën për mos emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar këtë veprim si cenim të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe të vetë procesit zgjedhor nga ana e presidentes Vjosa Osmani.
Gjoshi në një konferencë për media, tha se refuzimi i Osmanit dhe referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese përbën një dëmtim të qëllimshëm të përfaqësimit të PDK-së në KQZ dhe dobësim të rolit të opozitës në këtë fazë kritike politike.
“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së, pra kandidatët në shumës dhe jo vetëm një të vetëm, siç e ka certifikuar më pas. Për këtë, ajo ka përgjegjësinë të sqarojë publikisht arsyen e këtij ndryshimi në momentet e fundit dhe përse ka ndaluar emërimin e anëtarëve të PDK-së,” tha Gjoshi.
Ai theksoi se mos emërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së bie ndesh me nenin 139, paragrafi 4 të Kushtetutës, që përcakton qartë se 6 anëtarë të KQZ-së emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare shqiptare, përkatësisht LVV, PDK, LDK dhe AA, shkruan lajmi.net.
“Kushtetuta siguron përfaqësim proporcional për partitë më të mëdha. Meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë vetëm katër grupe parlamentare shqiptare, anëtarët shtesë duhet të emërohen nga grupet më të mëdha, pra LVV dhe PDK,” sqaroi Gjoshi.
Ai paralajmëroi se PDK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të siguruar të drejtën e saj për përfaqësim në KQZ, duke e konsideruar këtë çështje thelbësore për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të vendit.


























