Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të mbledhë edhe Këshillin Drejtues për të finalizuar “qëndrimet dhe veprimet e saj politike”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të mërkurën u dha afat 34 ditë deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri ose vendi shkon në zgjedhje të reja.
Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, PDK-ja ka thënë se e respekton vendimin e Kushtetueses dhe se për të bërë të qarta veprimet e ardhshme politike do ta ftojë edhe mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Ndërkaq në një deklaratë për gazetarët, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në këtë mbledhje “do të diskutohet për aktualitetin e rëndë politik”.
“Ne e patëm mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të PDK-së. Vendimi ynë është që do ta thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin. PDK-ja respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj që për secilin që e ka njohur dhe ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ne asnjëherë nuk është çështje diskutimi”, ka thënë ajo.


























