Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.
Në një noftim për medie nga PDK thuhet se presidentja Osmani, duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e Politikës së Jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndrojë e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Tutje GP i PDK-së vë në pah veprimet, sipas tyre, në shpërputhje të presidentes Osmani me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit, por edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë.
“Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, ajo ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit, si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së, thuhet në njoftim.