Parlamenti Evropian do të diskutojë të hënën se çfarë po ndodh me zonën Shengen dhe a duhen rikthyer kontrollet në kufijtë e BE-së.
Debati vjen në vijim të njoftimit të Gjermanisë më 9 shtator se do të kthejë kontrollet në kufirin me Francën, Poloninë, Çekinë, Austrinë dhe Zvicrën. Edhe shtatë vende të tjera kanë kthye përkohësisht kontrollet kufitare, si Austria, Franca, Italia, Sllovenia, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia.
Gjermania e justifikoi vendimin e vet si një nismë për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur qytetarët nga kërcënimet prej ekstremizmit.
“Fryma e përgjithshme ka ndryshuar. Nuk është më tabu të flitet për këtë [kontrollet kufitare],” i tha një diplomat evropian gazetës britanike “Financial Times”.
Edhe kryeministri francez Mishel Barnie (o. Michel Barnier) deklaroi të martën në parlament se Franca mund të zgjerojë kontrollet në kufi “duke iu përmbajtur rregullave evropiane, siç ka bërë edhe Gjermania”.
Kufijtë e jashtë të BE-së monitorohen edhe me ndihmën e Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Brigjeve (Frontex). Legjislacioni i kësaj Agjencie po ashtu do të hidhet për diskutim në PE.