Në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare, ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Anila Denaj, e cila, pas takimit me homologun kosovar, Faton Peci, u deklarua se palët kanë rënë dakord për avancimin e bashkërendimin e politikave zhvillimore bujqësore.
Ministrat u zotuan për bashkëpunim në fushën e bujqësisë dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
“Në vazhdën e takimeve dhe aktiviteteve të përbashkta që kemi pasur edhe në të kaluarën, po diskutojmë për mënyrën e avancimit të bashkëpunimit mes dy vendeve -Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Faton Peci, ministër i Bujqësisë.
“Disa nga produktet të cilat neve jo vetëm na bëjnë krenar për atë që kemi arritur por njëkohësisht na mundësojnë edhe një këmbim edhe më të rritur të marrëdhënieve tona tregtare që në këtë vit është rritu me 15 për qind”, tha Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë.
Kosova e Shqipëria kanë tetë marrëveshje në fushën e bujqësisë. Ministrat deklaruan se ato duhet të rishikohen, që të jenë në funksion të prodhuesve dhe konsumatorëve./rtk