Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar për vazhdimin e aktiviteteve mjedisore në qytet, pas aksionit të pyllëzimit në Kodrën e Cërnushës.
Sipas tij, aksioni ka vijuar me pastrimin e hapësirave urbane, ndërsa gjatë kësaj pranvere pritet të mbillen mbi 3 mijë fidane në zona të ndryshme të qytetit.
Peci ka bërë të ditur gjithashtu se çdo shkollë në Mitrovicë do të krijojë kopshte me lule, perime dhe drunj dekorativë në oborret e tyre, si pjesë e nismave për ndërgjegjësim dhe edukim mjedisor.
Ai ka theksuar nevojën për rritjen e ndërgjegjes qytetare dhe shtetërore në trajtimin e mbeturinave, duke bërë thirrje për më shumë aktivizëm shoqëror në këtë drejtim.
Po ashtu, Peci ka vlerësuar se është koha që institucionet lokale dhe qendrore të rishikojnë në tërësi legjislacionin dhe modalitetet që lidhen me menaxhimin e mbeturinave.
Sipas tij, kujdesi për ambientin mbetet i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve.


























