Tensionet mes Serbisë dhe Kroacisë janë rritur pas deklaratave të dy presidentëve lidhur me blerjen e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina, të cilat Serbia ka blerë ditëve të fundit.
Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha se nuk e kupton pse Serbia po furnizohet me armë të tilla dhe kritikoi paralajmërimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se “Kroacia, Shqipëria dhe Kosova mund të sulmojnë Serbinë”.
“Vuçiç është një njeri mjaft interesant. Si mund të sulmojnë, me çfarë, kur nuk kanë ushtri për këtë?”, tha Milanoviç, duke shtuar se blerja e raketave me rreze 200–400 kilometra dhe fuqi të madhe shkatërruese është vendim sovran i Serbisë.
Ai shprehu shqetësimin e tij për armatimin e Serbisë me raketa supersonike moderne, duke përmendur furnizimet nga Kina, Rusia dhe Izraeli, dhe paralajmëroi se kjo rrit rrezikun në rajon.
“Kjo është armë e rrezikshme, asnjë vend evropian nuk e ka. Tani Serbia e ka. Çfarë do të bëjë me të? Të sulmojë Kroacinë? Kjo do të ishte e tmerrshme për ne, por edhe më keq për ta. Prandaj i bëj thirrje Vuçiçit të kujdeset se çfarë flet”, deklaroi presidentin kroat Minanoviq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, iu përgjigj Milanoviçit gjatë një vizite në Bajin Bashën, duke theksuar se Kroacia duhet të dijë çfarë bën.
“As presidenti kroat, as kushdo tjetër nuk do të më thotë se çfarë të them. Ne duam dhe do të kemi paqe dhe marrëdhënie më të mira me ta, edhe pse nuk ka fyerje që nuk na kanë thënë”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia ka zgjedhur rrugën e paqes dhe stabilitetit, dhe se vendi do të udhëhiqet nga qytetarët, jo nga presionet e jashtme.
“Ju lutem, shtrini dorën për të gjithë, kudo që jeni, për të treguar se duam një Serbi të bashkuar. Ruajmë paqen dhe stabilitetin, forcojmë kapacitetet e kundërmasës, ndërtojmë Serbinë dhe ecim përpara ekonomikisht”, tha Vuçiç./rtk


























