Dhjetëra të vrarë nga grupi militant në Pakistan i quajtur Ushtria Çlirimtare Baloch, sipas autoriteteve ky grup po tenton të krijojë një anarki në vend. Ata nxorën me forcë njerëzit nga automjetet në autostradë dhe më pas i qëlluan për vdekje.
Persona të armatosur kanë vrarë të paktën 22 persona në Pakistanin jugperëndimor. Ata nxorën me forcë njerëzit nga automjetet e tyre duke kërkuar dhe kontrolluar dokumentet e identifikimit dhe u qëlluan sipas zyrtarëve.
Sulmi ndodhi gjatë natës në një autostradë në provincën Balochistan, vendin ku forcat e sigurisë po luftojnë dhunën sektare, etnike dhe separatiste.
Ushtria Çlirimtare Baloch, një grup militant, ka thënë se qëndron pas sulmeve në distriktin Musa Khel.
Ministri i brendshëm, Mohsin Naqvi tha se forcat e sigurisë kishin vrarë 12 militantë në operacionet pas sulmeve, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Ministri i brendshëm shtoi se sulmet ishin një plan i menduar mirë për të krijuar anarki në Pakistan.
Gjatë 24 orëve të fundit, Ushtria Çlirimtare Baloch, ka nisur një seri sulmesh ndaj instalimeve të shumta qeveritare, duke përfshirë stacionet e policisë dhe kampet e forcave të sigurisë në të gjithë provincën.
Ushtria Çlirimtare Baloch përpara sulmit paralajmëroi publikun që të qëndronte larg autostradës, duke shtuar se lufta e tyre është kundër ushtrisë okupuese pakistaneze.
Ata deklaruan se në shënjestër kanë personelin ushtarak që udhëtonte me rroba civile, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Kryeministri Shehbaz Sharif shprehu “dhimbje të thellë dhe dënim për sulmin terrorist” në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Balochistani është provinca më e madhe e Pakistanit, por, megjithëse ka më shumë burime se provincat e tjera, është më pak e zhvilluar./rtk