Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për situatën në pjesën veriore të vendit, pas heqjes së barrikadave. Ai ka thënë se pjesëtarët serbë të policisë që dhanë dorëheqje, më shumë i kanë shërbyer krimit dhe vet Serbisë, sesa betimit si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Sveçla ka shtuar se presionet në veri do të luftohen me të gjitha metodat, që edhe ajo pjesë të çlirohet nga ndikimi i grupeve kriminale.
Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Mitrovicës, ministri Sveçla deklaroi se të gjitha rrugët tashmë janë të hapura, përveç atyre ilegale, të cilat deklaroi se janë të mbyllura nga patrullimet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës, e cila vazhdon të luftojë çfarëdo veprimtarie kriminale atje.
“Situata mund të themi se është e qetë, por nuk mund të themi se është plotësisht stabile. Përderisa ndikimi i Serbisë vazhdon të jetë jashtëzakonisht i madh përmes strukturave kriminale, atëherë nevojitet mobilizim i gjithmbarshëm, jo vetëm i strukturave të sigurisë, e posaçërisht policisë, por i gjithë shoqërisë sonë që të tejkalohen këto sfida”, tha Sveçla në RTK.
Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se roli obstruktiv i Serbisë duhet të neutralizohet njëherë e përgjithmonë, e që edhe ajo pjesë e Kosovës të shohë përpara sikurse të gjitha pjesët tjera të vendit.
Ai deklaroi se edhe pas dorëheqjes së pjesëtarëve të komunitet serb nga Policia e Kosovës, kjo e fundit po arrin ta menaxhojë shumë mirë situatën atje.
“Ka numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mund të themi lirisht se situata po menaxhohet më mirë se çdo herë tjetër”, u shpreh ministri Sveçla, sipas të cilit, faktikisht tashmë është publike se një pjesë e pjesëtarëve, apo e ish-pjesëtarëve nga kjo kategori, më shumë i kanë shërbyer krimit e Serbisë, sesa që i kanë shërbyer betimit të tyre si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Sveçla njoftoi se tashmë është bërë publik edhe konkursi i ri për pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komunitetet pakicë.
“Ne si institucione do të kryejmë obligimet tona, jo vetëm se do të hapim konkurs, që edhe ka ndodhur, por do të sigurohemi që presionet kriminale të luftohen”.
Ai tha se e di që ka presione, por e di që ato janë të jashtëligjshme. “Ato presione do të luftohen me të gjitha metodat në mënyrë që edhe ajo pjesë e shoqërisë sonë të çlirohet nga tutela e kriminelëve”, tha Sveçla, duke rikujtuar se ata nuk janë kriminelë të zakonshëm, por janë të drejtuar dhe udhëhequr e mbështetur nga Vuçiqi dhe Qeveria e Serbisë.
“Do të thotë sa më larg nga Vuçiqi dhe Qeveria e Serbisë në veriun e Kosovës , veriu do të ketë më shumë sundim të rendit dhe të ligjit, më shumë barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, tha ai.
Në këtë intervistë, ministri Sveçla foli edhe për ndikimin e Rusisë në rajon. Ai tha se çfarëdo roli që Rusia mund të ketë në rajon, ai patjetër që është negativ.
“E dimë shumë mirë dhe jemi dëshmitarë të përzierjes së Rusisë në çështjet e brendshme të shteteve të ndryshme, e patjetër edhe të Kosovës”, nënvizoi ai.
Sipas tij, rritja e raportit midis Serbisë dhe Rusisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit është një dëshmi se Rusia është e përgatitur, por edhe Qeveria e Serbisë po ashtu është e pajtuar me rolin destruktiv të Rusisë në rajon.
“Shumë shpesh kur bëhen analiza nga faktorë të ndryshëm për qasjen që Qeveria e Serbisë dhe Vuçiq ka në raport me interferencat e tyre në Kosovë, harrohet fakti se aty ka një rol jashtëzakonisht të madh edhe Putin dhe njerëzit e tij, qoftë ndikim politik, qoftë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në terren”.
Sveçla u shpreh se ajo u pa edhe në kinse protestën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.