Policia e Kosovës ka bërë një paralajmërim të rëndësishëm për opinionin publik lidhur me qarkullimin e disa informacioneve dhe dokumenteve të falsifikuara, të cilat janë duke qarkulluar përmes e-mail-eve të ndryshme.
Këto dokumente, të cilat pretendojnë të jenë të lëshuara nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, janë të pavërteta dhe të falsifikuara.
Në komunikatën e saj zyrtare, Policia e Kosovës ka theksuar se këto e-mail-e, të cilat janë emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, pretendojnë të jenë lëshuar nga institucione të ndryshme brenda PK-së.
Megjithatë, policia bënë të ditur se këto dokumente nuk janë autentike dhe nuk janë lëshuar nga asnjë zyrtar i Policisë së Kosovës.
“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, kinse të lëshuara nga “Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në përgjigje të këtyre mashtrimeve, Policia e Kosovës ka nisur hetime intensive për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që janë të përfshirë në krijimin dhe shpërndarjen e këtyre dokumenteve të falsifikuara.
Policia e Kosovës i fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre dezinformatave.
Nëse ndonjë qytetar pranon një e-mail ose dokument të dyshimtë, është e rëndësishme që ta adresojë atë në adresën zyrtare të Policisë së Kosovës, [email protected], për shqyrtim dhe trajtim të mëtejshëm.