Vendbanimi më verior në territorin e Kosovës, Leshaku, do të bëhet me nënstacion policor. Objekti që u ndërtua rreth vitit 1970 dhe para luftës përdorej nga ish-policia jugosllave, do t’i lëshojë rrugë ndërtesës së re.
Ky objekt i vjetër gati 5 dekada pritet të rrënohet brenda këtij muaji. Policia e Kosovës, këtu në Leshak pritet ta ndërtojë një nënstacion të ri.
Për ATV-në, këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ne konsiderojmë se punimet do të fillojnë brenda këtij muaji. Komplet ndërtesa do të rrënohet dhe do të punohet një ndertës e re në bazë të planifikimeve që i kemi”, deklaroi Elshani.
Nënstacioni i vendosur rreth 10 kilometra nga pika kufitare me Serbinë, sipas Veton Elshanit, është shumë i nevojshëm.
“Është shumë i nevojshëm sepse Leposaviqi si qytetet është i ndarë edhe me dy qendra të tjera. P:sh si Istogu qe e ka Vrellen dhe Gurrakocin ashtu edhe Leposaviqi e ka Leshakun dhe Soqancen”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq, praninë e përhershme të policisë në këtë zonë, e mirëpriti edhe kryetari i Leposaviqit.
“Ne shpesh kemi kërkesa nga qytetarët aty për te dërguar ndonjë patrullë të policisë. Leshaku është një vendbanim bukur i dendur dhe ka nevojë po ashtu edhe policet do ta kenë një vend me të përshtatshëm për të vepruar”, tha kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Derisa javë më parë u përurua nënstacioni në Soçanicë, policët e Zubin-Potokut, që nga tetori i vitit të kaluar, punojnë në kontejnerë.
Ndërtimi i stacionit të ri nuk është gati të nisë, për shkaqe prokurimi. Lëvizje nuk ka as në planin për një stacion të ri në Mitrovicë të Veriut./atvlive.tv