Policia e Kosovës vlerëson se procesi i sotëm zgjedhor në aspektin e sigurisë, kaloi i qetë dhe pa incidente. Thonë se Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPost.
Megjithatë, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit, njëri në fshatin Bare në Mitrovicë të Jugut dhe tjetri në Kllokot, përderisa thonë se rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë informata.
“Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës pas mbylljes së të gjitha Qendrave të Votimit në Kosovë.
Tutje, Polica ka përsëritur se rasti i gjuajtjes me armë zjarri në Komoran ku ishte dëmtuar një veturë dhe ishin shoqëruar për intervistim dy persona, nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor.
“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar”, thuhet tutje në njoftimin policor.
Policia ka bërë të ditur se po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat thonë se në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion.
“Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.


























