Policia e Kosovës ka thënë të dielën se e ka hapur një rast hetimi për dyshimet e shpërthimit të një granate dore në Mitrovicë të Veriut pak pas mesnatës.
Nuk ka të lënduar nga ky shpërthim, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Njësitet kompetente policore kanë dalë në vend të ngjarjes. Policia, pas konsultimit me prokuror, ka hap rastin shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, theksoi Elshani.
Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.
Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

























