Policia ka njoftuar për disa raste të fundit që lidhen me kultivimin dhe posedimin e paautorizuar të substancave narkotike në vend.
Policia e Kosovë ka njoftuar se në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës, është arrestuar një person i dyshuar, pasi është hasur në një sipërfaqe prej 1 hektarësh të mbjellë me misër, e cila ishte e kamufluar me bimë narkotike që dyshohet të jenë të llojit kanabis.
Gjatë kontrollit në këtë lokacion, janë gjetur dhe konfiskuar: një peshore e madhe, një sasi marihuane, tre shirita, një paketim foli dhe një masë e dyshuar si eksploziv TNT, e cila është konfiskuar nga njësiti për deminim. Në këtë rast, janë asgjësuar gjithsej 1,769 bimë narkotike. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, njofton policia.
Në një rast të ndërlidhur në të njëjtin lokacion, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje edhe një shtetas i Shqipërisë, lidhur me aktivitetin e njëjtë të paligjshëm. Në këtë rast, janë asgjësuar 3,490 bimë narkotike. Rasti mbetet në hetime.
Në njoftimin e policisë thuhet se në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar, shtetas kosovar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar 5 gramë kokainë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në një tjetër rast në Prizren, janë arrestuar pesë persona të dyshuar, shtetas kosovarë, pasi gjatë kontrollit ndaj tyre janë gjetur dhe konfiskuar 35.69 gramë marihuanë, pesë telefona celularë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit katër nga të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri prej tyre është dërguar në mbajtje.
Të gjitha rastet janë nën hetime nga organet kompetente.


























