Fushë-Kosova, një nga komunat me zhvillimin më të shpejtë urban në vend, po përballet prej vitesh me një numër të madh ndërtimesh dhe projekte infrastrukturore.
Ky intensitet ndërtimi ka ngritur shqetësime të vazhdueshme për ligjshmërinë, planifikimin urban dhe mbrojtjen e interesit publik.
Për këtë, kryetari aktual i Fushë-Kosovës njoftoi se ka dorëzuar dosje për hetim në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Dyshimet për dëmtim të interesit publik dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ish-qeverisja, kanë detyruar kryetarin e Fushë-Kosovës të dorëzojë mbi 60 dosje për hetim në Krimet Ekonomike të policisë. I pari i Fushë-Kosovës nënvizon se i ka ndërmarrë këta hapa në funksion të transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
“Kemi ftuar Krimet Ekonomike që ta hetojnë këtë proces. Kemi të bëjmë me një vendim të ish-pushtetit, konkretisht të ish-kryetarit, për bonuset e ndërtimit, i cili vendim nuk i ka kaluar instancat e ligjshmërisë. Siç dihet, çdo vendim që merret nga kryetari apo kuvendi komunal duhet të kalojë në ministrinë e linjës për aprovim të ligjshmërisë së atij vendimi, ndërsa ky vendim nuk i ka kaluar këto instanca”, tha Valon Prebreza, kryetar i Fushë- Kosovës.
Ai vë në pah se dosjet e dorëzuara kanë për bazë vendimet e pushtetit lokal të mara përgjatë tri viteve të fundit.
“Që nga marrja e detyrës, i jemi drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të konfirmuar nëse vendimi është i ligjshëm apo jo, dhe me konfirmimin e tyre se ky vendim është i jashtëligjshëm, kemi filluar që të gjitha lejet ndërtimore të bazuara në këtë vendim gjatë tre vjetëve të fundit t’i dërgojmë për hetim në polici, pasi kushtet urbanistike dhe lejet ndërtimore janë marrë mbi bazën e një vendimi të jashtëligjshëm”, shtoi Prebreza.
Përpjekjet për të siguruar një qëndrim nga drejtoritë përkatëse, nuk morën përgjigje. Ndërkohë, ish-kryetari Burim Berisha, me shkrim, këtë veprim të kryetarit aktual e ka quajtur të turpshëm. Në këtë frymë edhe shefi i Grupit të asamblistëve të LDK
-së, këtë veprim e quajtur shou politik.
“Ne më shumë e shohim këtë si një shou politik, që është pasojë e politikave të Vetëvendosjes në gjithë vendin, e jo vetëm në Fushë-Kosovë dhe që në shumicën e rasteve nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Megjithatë, inkurajojmë organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e vet dhe që të gjithë ata që kanë rënë ndesh me ligjin të dalin para drejtësisë, përfshirë edhe institucionet qendrore që janë përmendur në media”, tha Laureat Gojnovci, shef i Grupit parlamentar të LDK-së në Fushë-Kosovë.
Lidhur me rastin, policia ka thënë se mbetet institucion i zbatimit të ligjit dhe është duke e trajtuar këtë rast si dhe çdo informacion që ndërlidhet me fushëveprimin e saj, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, përfshirë ato të drejtësisë.


























