Të dhëna të reja vijnë në lidhje me gjendjen shëndetësore të avokatit të njohur Sokol Mëngjesi i cili u dhunua me sende të forta nga 4 persona 6 ditë më parë dhe prej asaj kohe ndodhet në koma.
Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe kërkesën e familjareve, avokati Sokol Mëngjesi është nisur drejt Athinës për të vijuar mjekimin dhe ekzaminimet atje.
Avokati i Sali Berishës u dhunua, mëngjesin e së mërkurës së 29 majit, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, në gjendje të rënduar. Një nga autorët e sulmit ndaj tij u vetëdorëzua, ndërsa u shpallën në kërkim 3 të tjerët.
Dy ditë më parë, gjykata e Tiranës la në burg Dritan Nanon, i cili u arrestua si organizator i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, si edhe Dorian Alian, një nga agresorët e sulmit ndaj avokatit, shkruan A2CNN.Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa “arrest me burg” në mungesë.