Presidenca e Kosovës ka reaguar për propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në reagim thuhet se presidenca e kundërshton propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend prej 15 për qind, pasi sipas tyre, e injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
“Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, pasi ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend”.
“Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE”, thuhet në reagim.
Presidenca më tej tha se në vazhdë të një rritjeje potenciale, rritja e tarifave të energjisë nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, ku sipas tyre, duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend.
“Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”.
“Përkrahja e rritjes së çmimit të energjisë si një zgjidhje e parë me qëllim të adresimit të sfidave në sektorin e energjisë do të sillte një barrë të madhe për qytetarët”, thuhet tutje në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Rritja e çmimit, presidenca tha se do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacionit në vend si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Rritja e çmimit të energjisë ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”.
“Kjo do të përfshinte edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera thelbësore. Sipas aplikacioneve të operatorëve, një nga arsyet kryesore të kërkesës për rritjen e çmimeve të energjisë është dështimi i KEK-ut për ta realizuar prodhimin e energjisë sipas planeve të tij vjetore”.
“Ky dështim ka detyruar KEDS-in, të importojë energji me çmim shumë më të lartë (mesatarisht pesë herë më i lartë se prodhimi vendor), duke rritur kostot. Sipas KEDS-it, po ashtu, OSSH-ja ka importuar mbi 37 milionë euro më shumë se sa niveli i lejuar nga ZRrE-ja për vitin 2024”, thuhet në reagim.
“Ky dështim ka detyruar KEDS-in, të importojë energji me çmim shumë më të lartë (mesatarisht pesë herë më i lartë se prodhimi vendor), duke rritur kostot. Sipas KEDS-it, po ashtu, OSSH-ja ka importuar mbi 37 milionë euro më shumë se sa niveli i lejuar nga ZRrE-ja për vitin 2024”, thuhet në reagim.
Presidenca më tej u shpreh se rritja e humbjeve të projektuara për vitin 2025 prej pothuajse 57 për qind, sipas tyre, në krahasim me vitin paraprak është justifikuar me fkatin se KEK-u nuk pritet të gjenerojë energji në kapacitet të plotë dhe se kosotja e importit do të jetë shumëfish më e lartë.
“Megjithatë, duhet theksuar se kostoja aktuale e importit nuk është më e lartë se në vitet e kaluara, veçanërisht kur krahasohet me kulmin e çmimeve në vitin 2022 (aktualisht çmimi mesatar i importit është rreth 145 euro), si dhe nuk pritet ndonjë përshkallëzim drastik i çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2025”.
“Përkundër përpjekjes së operatorëve për t’i arsyetuar kostot e projektuara, vërehet një mungesë e transparencës, gjë që bëhet më serioze duke patur parasysh mospublikimin e raporteve të tyre financiare për vitin paraprak. Rrjedhimisht, qytetarët nuk kanë mundësi të informohen saktësisht mbi shpenzimet për energjinë dhe humbjet gjatë shpërndarjes. Kjo krijon vështirësi në vlerësimin e saktë të kërkesave për humbjet e lejuara”.
“Mirëpo, një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të ketë edhe një ndikim zinxhiror. Respektivisht, siç është cekur më lart, rritja e çmimit të energjisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Rrjedhimisht, çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin dhe me koston e jetesës. Në rastin e Kosovës, rritja e tarifave të energjisë, veçanërisht rritja e çmimit të rrymës, do të ndikonte ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në reagim.