Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Presidentja sqaroi se diskutimet me Trump kanë qenë edhe të natyrës diskrete dhe se detajet do të bëhen publike në një periudhë tjetër.
“Këto janë diskutime diskrete dhe është mirë që, për hir të ecjes përpara të shtetit tonë dhe të relacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detajet t’i themi në një moment tjetër”, tha Osmani.
Ajo theksoi se takimet me Presidentin amerikan janë zhvilluar në frymën e falënderimit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.i
“Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani.
“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.
Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.


























