Pas më shumë se pesë vjetësh, procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po i afrohet fundit. Reagime të shumta kanë pasuar fjalët përmbyllëse të palëve, ndërsa avokatët vlerësojnë se dëshmitë ndërkombëtare janë kyçe për vendimin final.
Procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, i cili zgjati mbi pesë vjet, tashmë po i vjen fundi. Shumë reagime nga vendi e jashtë u bënë gjatë fjalëve përmbyllëse të prokurorisë, mbrojtjes dhe katër të akuzuarve.
Një nga më të zëshmit ishte diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili në postimet e tij kërkoi që dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë të kenë peshë të madhe dhe se përshkrimi i situatës në terren nga Prokuroria, sipas tij, nuk pasqyron plotësisht realitetin. Avokatët i kanë quajtur të një peshe të veçantë dëshmitë e ndërkombëtarëve, për çka edhe presin epilog pozitiv.
“Në rast se vendimi do të bazohet në prova dhe fakte të cilat i kemi parë, atëherë unë jam optimist që vendimi i vetëm dhe epilogu real i këtij procesi do të jetë pafajësia e katërshes së UÇK-së, sepse prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë tezat, përkatësisht pikëpamjet e saj lidhur me çështjen që e ka ngritur. Sa i përket një vendimi ndryshe, atëherë unë vlerësoj se do të ketë pasoja të mëdha për vendin, për faktin se shteti serb do të përpiqet që këtë momentum ta shfrytëzojë për ta delegjitimuar edhe intervenimin e NATO-s, por mbase edhe vetë shpalljen e pavarësisë së vendit”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Avokati Skender Musa konsideron se lufta e UÇK-së është legalizuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Sa i përket legjitimitetit të luftës së popullit shqiptar, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka sqaruar shumë qartë që shpallja e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Duke pasur parasysh që pavarësia ka ardhur si derivat i luftës së UÇK-së, ajo gjykatë, sipas interpretimit tonë, e ka konfirmuar edhe legjitimitetin e luftës. Nuk ka të drejtë asnjë gjykatë apo prokurori ta kontestojë ligjshmërinë e një lufte çlirimtare të një populli kundër një okupuesi. Secili popull, sado i vogël që të jetë, ka të drejtë të luftojë për të drejtat e tij dhe të krijojë shtet. Kjo mundësi i është dhënë popullit të Kosovës, është shfrytëzuar, Kosova është çliruar dhe është shpallur pavarësia”, theksoi Musa për RTK.
Sa u përket protestave me kërkesën për drejtësi ndaj Gjykatës Speciale, avokatët thonë se ato janë karakterizuar nga pjesëmarrje aktive e qytetarëve dhe, sipas tyre, kërkesat janë tejet legjitime për të pasur drejtësi në këtë proces të stërzgjatur dhe me peshë jashtëzakonisht të madhe për vendin.


























