Sheshi “Isa Boletini” po kthehet në qendër të festave të fundvitit me shtëpizat e gastronomisë dhe aktivitetet për festat, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e programit festiv dhe mbështetjen e këtij projekti.
Në kuadër të projektit “Mitrovica Feston”, i cili mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, parashihet të organizohen një sërë aktivitetesh në këtë komunë.
Arbër Hajra nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka thënë për kp se nga kjo drejtori janë ndarë 30.000 euro për organizimin e aktiviteteve festive.
“Komuna e Mitrovicës, DKRS-Sektori i kulturës i ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e muajit të mërgatës gjatë verës dhe kremtimin e festave të fundvitit. Me këtë shumë është realizuar dekorimi i sheshit, pagesa e performuesve dhe aseteve të nevojshme për organizim“, tha Hajra.
Sipas tij, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, kriteri për shfrytëzimin e shtëpizave ka qenë që aplikuesit të jenë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).


























