Protesta e madhe e studentëve në Beograd ka treguar rritjen e pakënaqësisë tek qytetarët. Siç thonë studentet, protestat hapën pikëpyetje të shumta politike për përgjegjësinë e institucioneve përkatëse, veçanërisht të qeverisë aktuale.
Protesta më masive kundër qeverisë së Serbisë kohët e fundit mblodhi mbi 100 mijë njerëz në Sheshin Slavija. Studentë, qytetarë dhe aktivistë u bashkuan për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë e Novi Sadit dhe për të nxjerrë në pah problemet e sistemit institucional në vend.
Studentët gjithashtu e thonë se protesta është një mundësi për të treguar se të rinjtë janë iniciatorë të ndryshimeve.
“Ne, të rinjtë, duam ndryshime. Kjo protestë duhet të dërgojë një mesazh që institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, dhe jo që gjithçka të varet nga një person i vetëm”, thotë një studente e fakultetit te arteve.
“Studentët po tregojnë se si duhet të funksionojnë institucionet. Ata janë nismëtarët e ndryshimit të sistemit”, tha një student gjatë protestës.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetin social X, grupi “Studentët ne bllokada” theksuan rëndësinë e mbështetjes qytetare . “Qëndroni me ne – ky është vetëm fillimi”, kanë porositur ata.
Studentët thonë se nuk do të dorëzohen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke shpjeguar se po kërkojnë që institucionet të bëjnë punën e tyre. Ata gjithashtu theksojnë se bllokada e fakulteteve është një mënyrë paqësore dhe jo e dhunshme për të ushtruar presion ndaj autoriteteve.
Protestat kanë hapur diskutime të shumta mbi përgjegjësinë institucionale dhe të qeverisë. Analistët paralajmërojnë se këto lëvizje pasqyrojnë një pakënaqësi në rritje dhe mund të jenë fillimi i kërkesave më të thella për reforma në sistemin politik dhe zgjedhor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e përshkroi protestën si një tubim të madh opozitar dhe deklaroi se është i gatshëm të dëgjojë qytetarët. Vuçiq bashkë me kryeministrin Millosh Vuçeviq po bëjnë thirrje studentëve tu kthehen ligjëratave, sepse sipas tyre “kërkesat janë përmbushur”. Mirëpo, studentët mohojnë që kërkesat e tyre të jenë përmbushur.
Millica Kostiq, studente e Fakultetit të Shkencave Politike, për kërkesat e tyre duhet të përgjigjen institucione relevante në mënyrë që të respektohet ligi dhe kushtetuta.
“Kërkesat tona janë drejtuar institucioneve kompetente si Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria. Deklaratat e presidentit apo kryeministrit për përmbushjen e kërkesave tona janë të pavërteta. Derisa të marrim konfirmim të shkruar, nuk do të ndalojmë bllokadat”, tha ajo.
Aktualisht, mbi 60 fakultete në Serbi janë në bllokadë, dhe studentëve iu janë bashkuar edhe maturantët. Studentët e kanë quajtur veten iniciatorë të ndryshimeve, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i luftës për një shoqëri më të drejtë dhe transparente./rtk