Protesta “Edikti Studentor”, protesta e pestë masive e nxitur nga vdekja e 15 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, filloi sot në Nish dhe do të zgjasë deri në orën tre pas mesnate.
Studentët, në grupe të ndryshme, u nisën në mëngjes nga fakultetet e Nishit drejt qendrës së qytetit, ku do t’u bashkohen qytetarët e Nishit dhe mijëra persona nga vendet përreth dhe e gjithë Serbia. Trafiku në qendër të qytetit është bllokuar, ndërsa përgatitjet për pritjen e mijëra protestuesve kanë nisur që nga mëngjesi, shkruan nova.rs.
Emri i protestës, “Edikti Studentor”, ka një lidhje simbolike me Ediktin e Milanos të perandorit Konstandin i Madh në vitin 313, i cili lindi në Naissusin e atëhershëm, sot Nish, dhe përmes ediktit të tij vendosi barazinë fetare në Perandorinë Romake.
Protesta do të zgjasë 18 orë në mënyrë simbolike, pasi 018 është kodi telefonik i Nishit, por njëkohësisht është edhe një “thirrje për ndryshimin e nevojshëm”, kanë njoftuar studentët e Universitetit të Nishit, organizatorët e tubimit në qytetin e katërt universitar të Serbisë.
Protestat studentore, që nga 22 nëntori i vitit të kaluar, janë shndërruar në një lëvizje të fuqishme dhe kanë çuar në bllokimin e më shumë se 60 fakulteteve, pasi një grup mbështetësish dhe zyrtarësh të Partisë Përparimtare Serbe sulmuan studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, të cilët po nderonin me 15 minuta heshtje viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.



























