Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, në takimin që sot pati me presidentin rus, Vladimir Putin ka përmendur edhe Kosovën.
Vulin i është ankuar Putinit, se Prishtina po përpiqet të bëjë spastrim etnik të serbëve.
Ndër tjera, Vulin i cili është dhe pjesë e Listës së Zezë të SHBA-ve, e shfytëzoi këtë takim për të rikonfirmuar lidhjet e forta me Rusinë, por edhe që Putin ta përcjell mesazhin e qartë se Moska nuk do të tolerojë zbehje të ndikimit në Ballkan.
“Ne i jemi pafundësisht mirënjohës Rusisë dhe ju personalisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e integritetit tonë territorial. Ne e dimë se kudo që dëgjohet zëri i Rusisë, dëgjohet edhe zëri i Serbisë”, tha Vulin gjatë takimit me Putinin.
Sipas A2CNN, ai ka përsëritur zotimin se Serbia nuk do të vendosë kurrë sanksione e nuk do t’i bashkohet asaj që e quajti histeri antiruse.
Vulin e quajti nder dhe privilegj për të gjithë serbët takimin me Putin.