UNICEF-i dhe BE-ja në Kosovë kanë shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve – në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se gjatë mandatit të saj ka adresuar çështjen e të drejtave të fëmijëve.
Po ashtu Haxhiu ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë me miratimin e buxhetit të shtetit 2025 ka rritur subvencionimin e organizatave joqeveritare nga 1.5 milion në 2.5 milionë euro.
“Sot uroj që ta shfrytëzoni këtë mbledhje të adresoni të gjitha çështjet që keni. Si ministre nuk do të mund të paramendoja një situatë pa bashkëpunimin me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Si Qeveri kemi punuar me prioritete, të cilat fuqizojnë familjen duke e mbrojtur atë po ashtu duke e avancuar të drejtat e fëmijëve. Pjesë e kësaj reforme do të jetë edhe kujdesi dhe mirëqenia sociale. Fëmijët e cenueshëm që nga momenti kur kemi marrë adresimin me përkushtimin maksimal kemi qenë të angazhuar dhe në këtë drejtim ne kemi hartuar ligjin e ri. I kemi adresuar të gjitha aktet nënligjore për të drejtat e fëmijëve. Buxheti për subvencionimin e organizatave vendore nga Ministria e Drejtësisë ka qenë 1.5 milion, ndërsa me miratimin e buxhetit të shtetit 2025, subvencionimi do të rritet në 2.5 milionë euro”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se dëgjimi i zërit të fëmijëve është e rëndësishme në vendimmarrje dhe politikëbërje.