Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna dhe drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Jehona Rexha vizituan sot Komunën e Leposaviqit, me ç’rast u takuan me kryetarin Lulzim Hetemi.
Njëra ndër pikat e takimit ishte edhe përurimi i hapjes së Zyrës së Punësimit në objektin e Komunës së Leposaviqit.
“Ky hap është shumë i rëndësishëm, pasi nga kjo zyrë qytetarët do të mund të pranojnë këshillim profesional, të ndërmjetësohen në vende të ndryshme të punës, por edhe të marrin trajnimet e nevojshme për aftësim dhe ri-aftësim në punë”, thuhet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Në lidhje me këtë, kryetari Hetemi dhe drejtoresha Rexha nënshkruan edhe një memorandum përmes së cilit parashihet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Punësimit dhe Komunës së Leposaviqit ashtu që të garantohet zhvillimi profesional i qytetarëve si dhe avancimi i mëtutjeshëm socio-ekonomik në këtë komunë.