Nën patronatin e qeverisë gjermane në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, u mbajt takimi i pestë ministror kushtuar integrimit të Romëve në Kuadër të Procesit të Berlinit, transmeton KosovaPost.
Ky takim ka për qëllim shkëmbimin e përvojave, analizën e rezultateve të arritura, si dhe identifikimin e sfidave në zbatimin e Deklaratës së Poznanit, synimi kryesor i së cilës është përmirësimi i kushteve të jetesës së komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian.
Në këtë tryezë diskutimi, që u kryesua nga zëvendëskryeministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet e Pakicave, Emilija Rexhepi, së bashku me ministrat e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Serbisë, u diskutua përfshirja e këtyre komuniteteve në sfera të ndryshme jetësore të cilat përbëjnë punësimin, arsimin, strehimin dhe qasjen në shërbimet shëndetësore për këto komunitete.
Siç njofton Kryeministria, pjesëmarrësit patën mundësinë që të njoftohen nga afër me sfidat me të cilat përballen këto komunitete në vendin tonë dhe masat dhe programet mbështetëse të qeverisë me qëllim tejkalimin e tyre.
“Zëvendëskryeministrja Rexhepi, potencoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për në atë drejtim – ndër to krijimi i mekanizmave për promovimin e punësimit në kuadër të shërbimeve publike, duke përfshirë sektorët e sigurisë, shëndetësisë dhe arsimit. Si një nga sukseset kryesore të Kosovës dhe qeverisë u veçua përmirësimi i kushteve të strehimit. Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka përdorur në mënyrë efektive fonde për ndërtimin dhe përmirësimin e strehimit për komunitetin rom”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se Rexhepi ka folur edhe “për përparimet e rëndësishme që janë bërë në fushën e arsimit dhe edukimit për nxënësit dhe studentët nga komuniteti rom, ashkalinj dhe egjiptian, për të cilat komunitete Qeveria e Republikës ka ofruar bursa studime”.
“Krahas kësaj, janë ofruar edhe shërbime shëndetësore për fëmijët e këtyre komuniteteve përmes fushatës së vaksinimit mobil në 16 komuna, në kuadër të mbrojtjes shëndetësore”, citohet të ketë thënë Rexhepi.
Ajo gjithashtu citohet të ketë veçuar si arritje dhe sukses edhe krijimin e platformës për raportimin e rasteve të diskriminimit, www.roportodikrminimin.org, që mundëson ndjekjen e drejtpërdrejtë dhe zgjidhjen e raportimeve për diskriminim.
Përparim, sipas saj, është shënuar edhe në përfshirjen e romëve në transformimin digjital dhe agjendën digjitale, agjendën e gjelbër dhe projektet infrastrukturore në komunat ku jetojnë ata.
“Në kuadër të zbatimit të Deklaratës së Poznanit, Kosova ka arritur përparim të dukshëm në zbatimin e saj, e kjo është arritur nëpërmjet masave konkrete në fushat e punësimit, arsimit, strehimit dhe luftës kundër diskriminimit”, citohet të ketë deklaruar para të pranishmëve Zëvendëskryeministri Emilija Rexhepi.