Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje.
Në mesin e tyre është projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.
Pos kësaj, janë miratuar edhe projektligjet për Ratifikimin e Marrëveshjeve për programin e Kredisë së bazuar në politikat për sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.
Gjithashtu, Qeveria njofton se ka shqyrtuar dhe miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se është shqyrtuar dhe miratuar lista e Artikujve për Përdorim të Përbashkët, që janë Objekt i Procedurës Qendrore të Prokurimit Publik.
Dhe si pikë e fundit e miratuar në këtë mbledhje ishin edhe ndryshimet në Tabelën 3.2 të Ligjit Nr. 10/L-001 për Ndarjet Buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, “me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare dhe kontraktuale të papërmbushura nga viti paraprak për Ministrinë e Mbrojtjes”.


























