Manuel Sarrazin, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor kohëve të fundit u tregua “më i ftohtë” karshi vendimeve të Kosovës. Së fundmi, ai e përmendi sërish Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si obligim që duhet përmbushur, nëse Kosova dëshiron që t’i hapet rruga për anëtarësim në mekanizmat evropianë – specifikisht në Këshillin e Evropës.
Pas një heshtje dyditore të Qeverisë së Kosovës në lidhje me deklaratat e Sarrazinit, të premten [04.10.2024] u kundërpërgjigj duke thënë se Kosova e ka përmbushur pjesën e saj, njëherësh duke e falënderuar Gjermaninë që i ndihmoi të arrijë objektivat.
Sarrazin vuri në dukje se Gjermania ka qenë shtytësi kryesor në shtyrjen e aplikacioneve të Kosovës në organizmat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës.
“Përcjellja e aplikacionit nga përfaqësuesit e komunitetit të ministrave në Asamblenë parlamentare është bërë vetëm sepse Gjermania e ka shtyrë këtë proces”, ka deklaruar Sarrazin.
Ai paralajmëroi se humbja e mundësive të tilla mund të ketë pasoja afatgjata.
Qeveria e Kosovës në lidhje me këto deklarata të Sarrazinit tha se e vlerësojnë lartë bashkëpunimin me partnerët si Gjermania, në arritjen e objektivave.
“Në rastin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ritheksojmë se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjithë kriteret për anëtarësim, siç është evidentuar edhe nga raporti i raportueses Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për KALLXO.com.
“Si rezultat i këtij angazhimi, me 24 prill 2023 u kalua faza e parë suksesshëm me mbi 2/3 e nevojshme dhe me 16 prill 2024 kishim një votë të fuqishme në favor të anëtarësimit të plotë, ku 82% e delegatëve të Asamblesë Parlamentare, duke përfshirë edhe ata nga vendet mosnjohëse, votuan në favor të Kosovës”, ka përkujtuar Kryeziu.
Për të, votimi në favor të Kosovës, dëshmon në radhë të parë meritat e Kosovës por edhe angazhimin e institucioneve Kosovës, në koordinim me partnerët e saj, për të marrë mbështetjen në Asamblenë e Këshillit të Evropës, aty ku përfaqësohen të gjitha shtetet anëtare, që ajo të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme.
“Pra Kosova e ka përmbushur pjesën saj”, tha ai.
Kryeziu tha se krejt në fund, në mënyrë jozyrtare, Kosovës i është vendos një kusht i ri, dorëzimi i statutit të përgatitur nga BE-ja për themelimin e Asociacionit – që nuk ka qenë pjesë kritereve të raportim përfundimtar dhe e rekomandimit të raportueses Bakoyannis dhe Asamblesë Parlamentare për anëtarësim.
“Ne e kemi konsideruar si të papranueshëm ndërlidhjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut me Serbinë sepse ketë dy procese janë të ndara, ashtu siç ka deklaruar në Asamblenë Parlamentare edhe vet zonja Bakoyannis”, tha ai.
Sipas tij, njëra zhvillohet në Strasburg dhe tjetra në Bruksel, dhe ndërlidhja e tyre i jep veto Serbisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke kontribuar kështu në mosrespektimin a shkeljen e nenit 4 të Marrëveshjes Bazike.
Ai tha se si Qeveri besojnë që anëtarësimi në organizatën më të vjetër të kontinentit që promovon sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, duhet të jetë e drejtë e fituar në mënyre meritore, e jo e kushtëzuar nga procese që ndërlidhura në mënyre artificiale.
Se a ka mbajtur Qeveria takime/bisedime me serbë lokal të Kosovës lidhur me dialogun ashtu siç edhe pati deklaruar kryeministri Kurti, Kryeziu tha se në vazhdimësi Qeveria ka mbajtur takime të tilla me serbë që janë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale dhe përfaqësues të ndryshëm të organizatave të shoqërisë civile.
Në emër të Qeverisë, Kryeziu tha se kryeministri Kurti sikurse dhe zëvendëskryeministri Bislimi, kanë patur takime të shumta, e ku është biseduar për shumë tema me interes të përbashkët.
“Pjesa më e madhe e këtyre takimeve janë mbajtur të mbyllura e nuk ka patur lajmërime apo komunikime publike në lidhje me to, për shkak të kërkesës së vetë pjesëmarrësve, të cilët i druheshin më tej kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi zyrtar e strukturat e tyre ilegale këtu”, tha ai.
Kryeziu deklaroi se disa prej këtyre takimeve janë organizuar dhe mbajtur me bashkëpunimin e praninë e përfaqësues prej shteteve tona mike.
“Ato i kanë shërbyer dhe i shërbejnë komunikimit të nevojave, kërkesave e të shqetësimeve të komunitetet joshumicë serb dhe adresimit të tyre nga institucioneve”, u përgjigj Kryeziu.
Sarrazin kërkoi që Kosova ta miratojë draftin e BE-së.
“Palët nuk e kanë përcjellë procesin siç pritej. BE-ja nuk është palë në proces, është një lehtësuese. Unë jam i divorcuar, kam pasur një ndërmjetës që përpiqet të shpëtojë martesën, problemi nuk ishte te ndërmjetësi, por te dashuria që mungonte. Nëse partitë nuk janë politikisht të gatshme për të arritur diçka, kjo ka një efekt negativ në palët e tjera.”
Ndër tjera, Sarrazin tha se Kosova ka një draft të shkruar nga partnerët më të mëdhenj dhe BE-ja, që mendohet se është një draft i mirë dhe që duan që Kosova ta marrë atë.
“Politika e Serbisë mund të mos ndryshojë ndjeshëm, por të paktën do t’ju fusë në Këshillin e Evropës nëse e përcillni atë në Gjykatën tuaj Kushtetuese”, shtoi ai.
Sarrazin tha se Kosova nuk ka paraqitur një draft për një kohë të gjatë dhe se ai i paraqitur është bërë në koordinim të ngushtë me Gjermaninë dhe partnerët tjerë.
“Përcjellja në Gjykatën Kushtetuese është një ofertë për Kosovën, sepse ka pasur reagime se mund të mos jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tani është në vullnetin politik”.
Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga Bashkimi Evropian e la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024, pikërisht kur pritej që në këtë mbledhje do të finalizohej anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë.
Vetëm 24 orë para se të mblidheshin ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të KiE-së, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, dërgoi një letër në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, duke u zotuar për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”. Pavarësisht këtij zhvillimi, agjenda nuk ndryshoi, por ndryshoi qëndrimi i Gërvalles. Ajo tha se oferta e qeverisë “tashmë e ka humbur relevancën”. /Kallxo.com/