Rroba po shpërndahen për fëmijët palestinezë që jetojnë në kampet e zhvendosjes së detyruar në Gaza nga aktivistë lokalë humanitarë, të cilët po përpiqen të sjellin pak gëzim për fëmijët e këtij territori të shkatërruar nga lufta, ndërsa ata përgatiten për të festuar Fitër Bajramin.
Aktivisti palestinez Ahmed Wishah ndau një video në rrjetet sociale ku shfaqen familje duke zgjedhur rroba për fëmijët e tyre, në prag të festës që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Sepse fëmijët tanë meritojnë gëzim. Sot realizuam projektin e shpërndarjes së rrobave të Bajramit për fëmijët e zhvendosur në Rripin e Gazës, ku më shumë se 500 familje përfituan nga ky projekt,” tha Wishah, duke falënderuar ata që kontribuuan për këtë nismë.
Tradicionalisht, gjatë festës tre-ditore të Fitër Bajramit, që pritet të fillojë së shpejti me përfundimin e Ramazanit, njerëzit veshin rroba të reja dhe dhurojnë dhurata. /mesazhi