Në një minutë pas mesnatës, në vendkalimin kufitar Morinë – Vërmicë, me letërnjoftim kanë hynë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në këtë mënyrë simbolikisht konfirmuan vendimin e njëanshëm të Qeverisë së vendit tonë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Republikën e Kosovës.
Një delegacion i përbërë nga qytetarë, profesorë dhe sipërmarrës privatë u kryesua nga Elvira Dushi, kryetarja e Komunitetit të Shqiptarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ata u pritën nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ndërsa grupi tjetër i qytetarëve që arriti nga Mostari u kryesua nga Fehmi Topalli.
Ata u pritën nga Rasim Demiri, drejtor i punës dhe mirëqenies sociale të qytetit të Prizrenit. ‘Gëzuar Vitin e Ri dhe le të jetë ky moment fillimi i miqësive të reja, sfidave të reja dhe fitoreve të reja“, tha Elvira Dushi, ndërsa Muharrem Zejnullahu, ish-ambasador dhe aktivist, nuk i fshehu emocionet e tij.
„Jam veçanërisht i gëzuar, dhe emocionet më kapërthyen. Për shumë vite kemi luftuar për këtë moment“, tha Zejnullahu.
Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, u uroi mirëseardhjen mysafirëve nga Bosnja dhe Hercegovina në emër të Qeverisë së Kosovës.
“Ky është një gjest i madh i shtetit tonë, i Qeverisë sonë. Ne pritëm miqtë tanë nga Bosnja dhe Hercegovina, ashtu siç premtuam. Kemi hequr regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Mirë se erdhët dhe Gëzuar Vitin e Ri“, tha Rexhepi.
Organizatorët e vizitës njoftuan se delegacioni nga Bosnja dhe Hercegovina, gjatë ditëve në vijim do të ketë takime dhe shoqërime në disa qytete të Kosovës dhe do të vizitojë institucionet më të larta të shtetit./rtk